Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), në kuadër të procesit gjyqësor që lidhet me çështjen ndaj Laert Haxhiut.
Seanca e radhës nuk është zhvilluar, pasi në sallë nuk ishin të pranishëm reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe as familjarë të tij. Për këtë arsye, gjykata vendosi shtyrjen e procesit.
Pas daljes nga gjykata, Cllevio dha një deklaratë për mediat, ku i bëri thirrje hapur Noizyt të paraqitet në seancë.
“Se mungon ai të vij unë për pak këtu? Të vijë të përballet këtu, të japë intervistat që jap unë, a do gjejmë zgjidhje apo nuk do e gjejmë”, u shpreh ai.
Reperi theksoi se ai vetë është paraqitur rregullisht në gjykatë dhe se mungesat e palës tjetër, sipas tij, po ndikojnë në zvarritjen e procesit.
“Unë do vij të paraqitem këtu se më thanë të paraqitem… sot ishte seancë miqësore… gjetëm një zgjidhje për datën e ardhshme”, shtoi ai.
Në një ton ironik, Cllevio komentoi edhe pjesëmarrjen e tij në seanca, duke thënë se do t’i duhet të ndryshojë veshje për herën tjetër.
“Thjesht tani po iki me kokën mbrapa… edhe herën tjetër duhet të gjej një veshje tjetër se s’mund të vij prapë me këtë veshje”, tha ai.
Në fund të deklaratës, ai vlerësoi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, duke përmendur SPAK dhe GJKKO.
“SPAK dhe GJKKO shyqyr që janë krijuar… mirë që i kemi”, u shpreh reperi.






