Strukturat e Administratës Doganore kanë goditur, në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, një skemë kontrabande në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.
Gjatë kontrollit të tre mjeteve, janë konstatuar sasi mallrash të padeklaruara, si dhe ndryshime në natyrën e mallit, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Në përfundim të verifikimeve, ndaj rasteve janë vendosur masat administrative përkatëse, ndërsa mallrat e konsideruara kontrabandë janë sekuestruar. Rastet janë referuar gjithashtu penalisht pranë Prokurorisë.
Sipas Administratës Doganore, vlera e detyrimeve doganore të shmangura arrin në rreth 1.6 milionë lekë, ndërsa penalitetet kapin shumën e rreth 2.5 milionë lekëve. Në total, detyrimet dhe penalitetet arrijnë në rreth 4.1 milionë lekë.
Administrata Doganore deklaron se mbetet e angazhuar për lehtësimin e tregtisë së ligjshme, mbrojtjen e biznesit të ndershëm dhe forcimin e kontrolleve ndaj çdo tentative për shmangien e detyrimeve doganore.





