Pas disa vitesh larg ekranit, medias dhe reagimeve politike, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, duket se po përgatitet të rikthehet para publikut, këtë herë në një format ndryshe.
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale e shfaq Tahirin teksa bëhet gati për të folur, ndërsa pranë tij shihen kamera dhe mikrofonë.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Tahiri ka paralajmëruar se ka shumë histori për të treguar, disa prej të cilave i ka përjetuar vetë dhe të tjera që, sipas tij, i ka dëgjuar të tregohen për të.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë!”, shkruan Tahiri.
Ende nuk janë bërë të ditura të gjitha detajet rreth formatit me të cilin ai do të rikthehet para publikut, ndërsa projekti i ri pritet të shfaqet në kinema.
Mesazhi i ish-ministrit ka nxitur kuriozitet, veçanërisht për historitë dhe rrëfimet që ai paralajmëron se do të ndajë me publikun.





