Një situatë dramatike me pengje që zgjati rreth 15 orë përfundoi me vrasjen e një veterani të Ushtrisë Amerikane nga forcat federale, pasi ai mbajti të bllokuar disa persona brenda një ndërtese bankare në Kaliforni dhe dyshohet se u kishte lidhur eksplozivë disa prej tyre.
Ngjarja nisi herët në mëngjesin e së martës, kur Anthony Searles-Harris, 41 vjeç, hyri në një ndërtesë zyrash të Bankës Chase në Bakersfield, rreth dy orë në veri të Los Angeles. Sipas autoriteteve, ai mori peng rreth dhjetë persona në katin e dytë të godinës, ku ndodhen edhe zyra të shërbimeve publike dhe institucioneve arsimore lokale.
Gjatë kontakteve me negociatorët, 41-vjeçari deklaroi se kishte një bombë të lidhur në trup dhe se kishte vendosur eksplozivë edhe te disa prej pengjeve.
“Ai tha gjithashtu se kishte lidhur eksplozivë te disa prej pengjeve, gjë që e konfirmuam bazuar në vëzhgimet tona”, deklaroi oficeri i Policisë së Bakersfield, Jeremy Blakemore.
Në vendngjarje u angazhua edhe një njësi speciale e FBI-së për menaxhimin e situatave me pengje. Gjatë orëve të gjata të negociatave, dy persona u liruan, njëri në mesditë dhe tjetri në mbrëmje, por përpjekjet për ta bindur autorin të dorëzohej nuk dhanë rezultat.
Rreth orës 04:30 të mëngjesit, forcat speciale të FBI-së ndërhynë për t’i dhënë fund krizës.
“Rreth orës 04:30, një ekip shpëtimi pengjesh ndërhyri dhe neutralizoi këtë individ”, tha agjenti special i FBI-së, Sid Patel.
Sipas autoriteteve, të gjithë pengjet dolën fizikisht të padëmtuar nga ndërtesa.
“Jam i sigurt se do të ketë pasoja psikologjike me të cilat ata do të duhet të jetojnë, dhe specialistët tanë për mbështetjen e viktimave do të jenë aty për t’i ndihmuar”, shtoi Patel.
Hetuesit nuk kanë bërë ende publike motivet e ngjarjes. Autoritetet konfirmuan se Searles-Harris kishte një histori të gjatë problemesh me ligjin, përfshirë dënime për krime seksuale dhe raste dhune. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.





