Përfaqësuesit e kompanisë Mabco, të biznesmenit Behgjet Pacolli, kanë reaguar nga Tirana ndaj akuzave të kompanisë VIA, duke deklaruar se të gjitha detyrimet kontraktuale për projektin e Aeroportit të Vlorës janë përmbushur dhe se punimet janë në fazën përfundimtare.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesja e Mabco-s, Ornela Çuçi, tha se kompania kërkon vetëm përfundimin e projektit në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt, duke akuzuar palën tjetër për bllokim të punimeve.
“Aeroporti i Vlorës është një investim strategjik kombëtar… çdo pengesë nuk prek vetëm kompaninë Mabco, por edhe besimin te shteti shqiptar”, u shpreh Çuçi.
Ajo shtoi se Mabco, e cila sipas saj zotëron 98% të kuotave të Vlora International Airport dhe ka investuar rreth 92 milionë euro, nuk është penguese e projektit, por kërkon që procesi të përfundojë sipas standardeve ligjore dhe teknike.
Nga ana tjetër, drejtori i kantierit, Klodian Sava, deklaroi se 99% e punimeve janë përfunduar, por mungesa e energjisë elektrike, internetit dhe sistemeve teknologjike po pengon testimet dhe vënien në funksion të aeroportit.
“Ne kemi përfunduar 99% të punimeve… por pa energji elektrike dhe internet nuk mund të testohen sistemet,” tha Sava, duke shtuar se aeroporti kërkon zgjidhje urgjente të infrastrukturës mbështetëse.
Mabco i ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë, duke theksuar se situata nuk duhet trajtuar si konflikt mes dy palëve private, por si çështje e sigurisë juridike dhe e funksionimit të një projekti strategjik kombëtar.






