Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë “Foltores” së radhës, duke deklaruar se nuk do të bashkohet “për asnjë moment” me qeverisjen aktuale.
Në fjalën e tij para mbështetësve demokratë, Berisha e cilësoi qeverinë si një “regjim armiqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ndërsa shtoi se Rama ka humbur çdo legjitimitet për të qeverisur vendin.
“Ky regjim nuk ka më asnjë orë legjitimitet. Shndërron zgjedhjet në një farsë”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati akuzoi qeverinë për manipulim të procesit zgjedhor dhe përdorim të institucioneve kundër opozitës.
“Nuk pajtohem me këtë regjim, që për të grabitur zgjedhjet, arreston në vitin elektoral lidershipin e opozitës. Nuk pajtohem me një narkodiktator”, u shpreh ai.
Berisha tha se opozita dhe qytetarët po zhvillojnë një betejë kundër një sistemi që, sipas tij, mbështetet te korrupsioni, droga dhe krimi.
“Me guximin dhe qëndresën tuaj po shkruani një kapitull të ndritur të historisë sonë kombëtare. Ndaj një diktature të bazuar në vjedhjen e shqiptarëve, drogën, krimin dhe varfërimin e qytetarëve”, tha lideri demokrat.
Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se vetëm rezistenca qytetare do të sjellë ndryshimin politik në vend.






