Një skemë e falsifikimit të dokumenteve të gjendjes civile, e dyshuar se përdorej për pajisjen e shtetasve me pasaporta bullgare, është goditur nga policia në Dibër në kuadër të operacionit të koduar “Identiteti”.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet e nisura prej rreth një muaji, të ndjekura me metoda speciale, zbuluan se disa persona lëshonin dokumente të rreme që vërtetonin banim në njësinë administrative Ostren, me qëllim përdorimin e tyre në Bullgari për përfitimin e shtetësisë dhe pasaportave.
Gjatë operacionit, në pikën kufitare Bllatë, u ndalua një 49-vjeçar me inicialet E. T., banues në Sofje. Në automjetin e tij u sekuestruan 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara, që i përkisnin shtetasve të ndryshëm.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka nisur procedim penal edhe ndaj dy zyrtarëve lokalë, N. S., administrator i njësisë Ostren, dhe B. M., ish-administrator, të cilët dyshohet se kanë lëshuar dokumente në kundërshtim me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.






