Në ambientet e Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur gjykimi në themel ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Pak para nisjes së seancës, Meta zhvilloi një dialog në distancë me sekretarin e përgjithshëm të Partia e Lirisë, Tedi Blushi, ku dha porosi për vijimin e aksionit politik dhe u interesua për kursin e këmbimit valutor pas operacioneve të fundit të SPAK.
“Tedi më thuaj pak të lutem si paraqitet kursi i këmbimit valutor pas këtyre operacioneve e sekuestrimeve, çfarë janë këto?”, pyeti Meta.
Ndërsa Monika Kryemadhi tentoi të përgjigjej duke thënë “Në 85…”, Meta kërkoi përgjigje nga Blushi.
“Ka rënë ende më shumë, ka rënë në 94. Do bjerë akoma më shumë”, u përgjigj Blushi.
“Mooosss! Do ketë remitanca. Po çfarë bëni ju në opozitë? Tedi, theksoni kursin e euros, ajo është kryesorja”, vijoi Meta.
Më pas ai pretendoi se çështja po përdorej për të shmangur vëmendjen nga tema të tjera.
“Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohet media, që të mos kuptohet se po bëhet mashtrim”, deklaroi ai.
Tensionet u zhvendosën më pas brenda sallës së gjyqit, ku Meta kundërshtoi mënyrën e zhvillimit të seancës dhe akuzoi trupën gjykuese për mungesë paanshmërie.
“Jeni ekstremisht të njëanshëm, ta dëgjojë edhe media. Unë jam këtu si terrorist ukrainas”, u shpreh ish-presidenti.
Gjyqtari Erion Bani iu përgjigj se procedura duhet të respektohet.
“Gjykata vendos kush flet e kush jo. Duhet të mbarojë prokuroria, pastaj ju. Ka rregulla procesi”, tha Bani.
Meta vijoi me kritikat ndaj gjykatës.
“Kanë tmerr nga e vërteta. Kjo është paanësia e gjykatës. Jeni ekstremisht të njëanshëm”, deklaroi ai.
Në një moment, gjyqtari i sugjeroi të paraqiste kërkesë për përjashtimin e trupës gjykuese.
“Bëj kërkesë për përjashtim trupe”, i tha Bani.
Por Meta refuzoi.
“S’kam asnjë kërkesë, sepse më e mira nga të gjithë ju është Irena Gjoka. Kam respekt për rregullat dhe ligjin, por derisa zotëria e filloi me seancën e kaluar, ishte e drejta ime të jepja sqarim për këtë gjë”, u shpreh ai.
Seanca vijon mes debateve procedurale dhe paraqitjes së qëndrimeve të palëve për akuzat që po shqyrtohen në gjykim.





