Një aksident tragjik ajror është regjistruar në Ganderkesee, pranë Oldenburgut në Gjermani, ku një aeroplan i vogël u rrëzua mbi çatinë e një banese, duke i marrë jetën pilotit.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 11:00 të paradites së së shtunës. Sipas dëshmitarëve, pak çaste para përplasjes u dëgjua një zhurmë e fortë, ndërsa më pas avioni humbi kontrollin dhe u përplas me pjesën e përparme të çatisë së shtëpisë.
Për fat të mirë, banorët e banesës nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e aksidentit, çka shmangu një bilanc edhe më tragjik.
Si pasojë e goditjes, kabina e pilotit u shkatërrua plotësisht, ndërsa mbetjet e avionit u shpërndanë përreth ndërtesës.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për të verifikuar nëse në bord ndodhej edhe ndonjë person tjetër përveç pilotit.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura rrethanat që çuan në rrëzimin e mjetit fluturues.





