Punonjësit e emergjencës në Gjermani kanë nxjerrë nga rrënojat trupat e tre personave që humbën jetën pas shembjes së një ndërtese apartamentesh në qytetin Görlitz, në landin e Saksonisë.
Sipas mediave gjermane dhe policisë lokale, ngjarja e rëndë ndodhi pas një shpërthimi të fuqishëm më 18 maj, që shkaktoi shembjen e pjesës më të madhe të godinës.
Mes viktimave ndodhet një burrë 48-vjeçar, që dyshohet të ketë qenë banor i pallatit, si dhe dy turiste rumune, të moshës 25 dhe 26 vjeç.
Autoritetet konfirmuan se operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar dhe nuk ka më persona të zhdukur nën rrënoja.
Trupat e viktimave janë dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e shpërthimit që çoi në tragjedinë e rëndë.






