Burime brenda Gjykatës së Korçës bëjnë me dije se Kristjan Sterjo ka dhënë të njëjtin version të ngjarjes edhe gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, ashtu siç kishte deklaruar më herët përpara grupit hetimor.
20-vjeçari ka qëndruar i qetë gjatë gjithë seancës gjyqësore. Në përfundim të fjalës së tij, Sterjo mësohet të ketë deklaruar se është penduar për atë që ka bërë.
Sipas dëshmisë së tij, mes tij dhe Johan Zukos kishte pasur konflikte të mëparshme. Megjithatë, 20-vjeçari ka pretenduar se nuk kishte pasur qëllim ta vriste.
Sterjo akuzohet për vrasjen me armë zjarri të Johan Zukos, si dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjykata e Korçës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e motivit të vrasjes.





