Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është përpjekur të distancohet nga deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila ka shkaktuar reagime të forta pas komenteve të saj për Kosovën.
Gjatë një prononcimi për mediat në Kiev të Ukrainës, Vuçiç e cilësoi deklaratën e ministres si “të pakujdesshme” dhe “të papërgjegjshme”, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të presidentit apo të qeverisë serbe.
“Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit dhe qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm, politika jonë është dialogu, kompromisi, paqja dhe stabiliteti dhe kurrë spastrimi etnik, pikë”, deklaroi Vuçiç.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Paunoviç, e cila tha se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç gjatë luftës në Kosovë, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Kjo deklaratë ka sjellë reagime të shumta nga opozita serbe, zyrtarë evropianë dhe institucionet e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka vendosur gjithashtu shpalljen e saj person “non grata”, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës.
Ndërkohë, Vuçiç ka insistuar se politika e Serbisë duhet të fokusohet te dialogu dhe stabiliteti, duke u përpjekur të largojë qeverinë e tij nga retorika e lidhur me periudhën e Millosheviçit.





