Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar një denoncim të fortë publik, ku akuzon Banka e Shqipërisë për mënyrën e licencimit të “Jet Bank”, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë individë të lidhur me skema mashtrimi ndërkombëtar.
Sipas Këlliçit, dokumente të Ministrisë së Brendshme Gjermane tregojnë lidhje mes aksionerëve dhe drejtuesve të kompanive të përfshira në strukturën e bankës dhe rrjeteve të dyshuara mashtruese në Europë.
Në deklaratën e tij, Këlliçi shprehet:
“Skandali i rradhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë!
Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licensimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative.
Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak.
Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa shtete europiane si Angli, Austri, Gjermani, Spanjë, etj.”
Ai shton se sipas dokumenteve që ka publikuar, Oliver Hemmer rezulton gjithashtu drejtues i një kompanie të regjistruar në Qipro:
“Në një tjetër dokument shihet qartë se Oliver Hemmer është edhe drejtori i kompanisë së regjistruar në Qipro, Constador LTD. Pikërisht kjo kompani është pronare me 71% e JET BANK, e para bankë online në Shqipëri.”
Këlliçi thekson se sipas tij çështja nuk është më vetëm administrative, por sistemike.
“Në këtë pikë, çështja nuk është më thjeshtë ligjore, por sistemike. Banka e Shqipërisë ka licensuar këta individë për të hapur bankën e parë online në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit.”
Ai ngre gjithashtu shqetësime për rrezikun e pastrimit të parave përmes sistemit bankar:
“Por, më shumë se kaq, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?!
Nëse kjo vijë alarmi kalon pa reagim, ky skandal do të përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vetë sistemit bankar shqiptar.”






