Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Staten Island të New York-ut, komentoi edhe projektin turistik të Zvërnecit, i cili ka nxitur protesta kundër qeverisë që prej fundit të muajit maj.
Rama e cilësoi projektin si “të famshëm, por edhe famëkeq”, duke deklaruar se ai mund të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit elitar.
Kryeministri tha gjithashtu se qeveria po punon për të studiuar rreziqet reale që lidhen me projektin, duke veçuar ato nga shqetësimet që, sipas tij, përhapen në rrjetet sociale.
“Sot karakteristika e turizmit shqiptar është turisti me të ardhura mesatare dhe të ulëta, ndërkohë që ne na mungon turisti me të ardhura të larta, që përfaqëson atë që quhet turizmi i vlerës së lartë.
Këtë synim ka edhe projekti i shumë diskutuar, projekti i famshëm, por edhe famëkeq, për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve, politizimeve, projekti i Sazanit dhe projekti i Zvërnecit bashkë me të, një projekt që potencialisht sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro.
4 miliardë euro në një ekonomi, që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Juve i bëni vetë llogaritë më mirë”, deklaroi Rama.
Kryeministri pranoi se përmasat dhe ambicia financiare e projektit e bëjnë atë një çështje të ndjeshme edhe sa i përket mjedisit.
“Është një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Sigurisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sa ç’është i jashtëzakonshëm në përmasa, sa ç’është i jashtëzakonshëm në ambicie, sa ç’është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar, është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit me mjedisin dhe për këtë arsye, ne po punojmë shumë intensivisht për të pasur një studim të impaktit mjedisor të detajuar edhe profesional, të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për të kuptuar ekzaktësisht cilat janë rreziqet reale dhe jo rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish”, tha Rama.
Projekti i Zvërnecit ka qenë në qendër të debatit publik dhe protestave prej muajit maj, ndërsa deklaratat e Ramës nga New York-u rikthejnë në vëmendje përplasjen mes argumenteve për zhvillimin turistik dhe shqetësimeve të ngritura për ndikimin e mundshëm në mjedis.





