Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me debate të forta politike, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka artikuluar akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, Edi Rama me vasalët e tij në këtë parlament bëjnë gjithçka që ta nxjerrin parlamentin jashtë kohe, që t’i imponojë parlamentit një axhendë e cila nuk ka asgjë të përbashkët me interesat tuaja,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se dy çështjet kryesore për qytetarët janë nafta dhe integrimi europian:
“Sot, dy janë çështjet më themelore që u interesojnë qytetarëve shqiptarë, nafta dhe integrimi europian. Integrimin evropian ju e mbyllët…”
Në vijim, Berisha kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po menaxhohet procesi i integrimit:
“E bazoni në telefonata hektike të një njeriu që uroj që të mos i marrë më në telefon… Por ky nuk është procesi i integrimit.”
Ai bëri edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve të lartë:
“Procesi i integrimit është për momentin heqja menjëherë e imunitetit të Belinda Balluku dhe dërgimi i saj atje ku kërkon SPAK-u. Është paraqitja para SPAK-ut e Linda Rama…”
Duke iu referuar çështjes së AKSHI-t, ai shtoi:
“Dosja e AKSHI-t dhe e Lubisë janë dosje evropiane dhe botërore… Ju mund të hiqni kë të doni dhe të vini kë të doni, por dosjet janë aty.”
Berisha ndaloi edhe te çmimi i karburanteve:
“Po nafta? 150 lekë shitet në Maqedoni… Për fermerët shitet shumë më lirë. E keni shndërruar në një ndëshkim për shqiptarët.”
Në përfundim, ai paralajmëroi pasoja ligjore për qeverinë:
“Mos harroni një gjë… jeni krim në vazhdim, jeni krim në bashkëpunim… Nesër Edi Rama paditet si mashtrues publik!”
Debatet në Kuvend pritet të vijojnë, ndërsa përplasjet politike mbeten të forta mbi çështjet e korrupsionit, ekonomisë dhe integrimit europian.






